Prej katër ditësh, banorët e fshatit Hingë në rrethin e Beratit raportojnë se ndodhen nën ujë për shkak të përmbytjeve të fundit, ndërsa thonë se asnjë autoritet nuk ka mbërritur ende për të vlerësuar situatën dhe dëmet e shkaktuara. Banorët shprehen se komunikimi është i vështirë dhe se nuk arrijnë të dërgojnë as video për të dokumentuar gjendjen në terren.
Sipas tyre, përmbytjet kanë prekur edhe serrat dhe parcelat bujqësore, duke shkaktuar dëme të mëdha. Familjet në zonë theksojnë se kanë tonelata me mandërina të pavjela, të cilat rrezikojnë të shkatërrohen plotësisht nëse nuk merren masa të menjëhershme.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet lokale dhe qendrore për të vlerësuar dëmet dhe për t’u ardhur në ndihmë me mjete për largimin e ujit, si edhe me mbështetje për produktet bujqësore që rrezikojnë të humbasin. Fshati Hingë është prodhuesi më i madh i agrumeve në qarkun e Beratit, i cili numëron 41 000 rrënjë mandarina në një sipërfaqe prej 74 hektarësh.
“Përshëndetje JOQ! Kemi katër ditë të përmbytur asnjë s’ka ardhur të shikojë gjendjen. Po nuk dërgoje dot videot. Jem në fshatin Hingë në rrethin e Beratit. Kemi tonelata me mandarina pa vjel”, shkruan banori.