Një mjeke dhe një infermiere në Tiranë janë vënë nën hetim nga policia pas dyshimeve për neglizhencë mjekësore, pasi një paciente 56-vjeçare pësoi një reaksion të rëndë nga medikamentet e përshkruara. E dëmtuara u dërgua me urgjencë në spital, ku po merr trajtim mjekësor.
Sipas hetimeve paraprake, medikamentet i janë përshkruar pacientes nga mjekja 46-vjeçare E. H., ndërsa injeksionet janë aplikuar në banesë nga një infermiere 71-vjeçare, aktualisht në pension. Hetuesit dyshojnë se procedurat e mjekimit nuk janë ndjekur siç duhet, çka mund të ketë shkaktuar reagimin e rëndë tek pacientja.
Policia e Tiranës ka bërë me dije se materialet janë referuar në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë ndaj dy profesionisteve të shëndetësisë. Ndërkohë, 56-vjeçarja vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.