Detaje të reja kanë dalë nga seanca e sotme në GJKKO për zv/kryeministren Belinda Balluku dhe dy drejtorët e saj, Gentjan Gjyli dhe Erald Elezi. Burime nga salla e gjyqit bëjnë me dije se Balluku ka zgjedhur të mos japë deklarime, përveç prezantimit formal dhe paraqitjes së avokatëve të saj. Ndërkohë, seanca me dyer të mbyllura është shoqëruar me debate të ashpra mes mbrojtjes së Ballukut dhe prokurorit të çështjes, Dritan Prençi.
Sipas burimeve, prokurori Prençi ka këmbëngulur që masat e dhëna më herët ndaj saj dhe dy vartësve të mbeten në fuqi, duke deklaruar se në dosje janë shtuar edhe prova të reja që e rëndojnë pozitën e të pandehurve. Balluku u pezullua nga detyra dy ditë më parë me vendim të GJKKO-së dhe iu ndalua dalja jashtë vendit, ndërsa procesi ndaj saj vijon me intensitet të lartë.
Zv/kryeministrja është marrë zyrtarisht e pandehur që prej 31 tetorit 2025 dhe akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publikë” në bashkëpunim me vartësit e saj, në procedurën e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë. SPAK ka ngritur gjithashtu edhe një akuzë të dytë, që lidhet me dyshime për abuzime në lotin 4 të Unazës së Madhe, duke e bërë dosjen një nga hetimet më të bujshme të këtij viti.