Përgjimet e reja zbulojnë skemën e paracaktimit të fituesve të Unazës së Madhe, Balluku jep urdhra për tenderin 130 milionë euro

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 22.11.2025, 14:09

Përgjimet e reja zbulojnë skemën e paracaktimit të fituesve të Unazës së Madhe, Balluku jep urdhra për tenderin 130 milionë euro

Publikimi i përgjimeve të reja nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka rikthyer në qendër të vëmendjes skandalin e tenderave të Unazës së Madhe në Tiranë. Sipas Bardhit, të dhënat e SPAK tregojnë qartë se ministrja Belinda Balluku dhe ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, kanë paracaktuar fituesit e garave për projektin që kap vlerën totale prej 130 milionë eurosh.

Në dokumentet e SPAK, të siguruara nga përgjimet e celularit të Evis Berberit, dalin në pah komunikime direkte midis Ballukut, Berberit dhe biznesmenit Ilir Shtufi, pronar i “Nova Construction 2012”, një prej fituesve të tenderit vetëm katër ditë pas bisedave.

Sipas Bardhit, çdo lot i tenderit ishte ndarë paraprakisht, ndërsa kriteret dërgoheshin në letra pa emër. “Çfarë tmerri, çfarë korrupsioni,” shkroi ai, duke theksuar se nuk nevojitet koment tjetër.

Përgjimet e SPAK

Nga akti i ekspertimit nr. 195, datë 26.09.2024, i celularit “Blackberry” të Evis Berberit:

10.09.2021 – ora 10:46
Belinda Balluku: “Hajde tek unë ne 11”
Evis Berberi: “Erdha”

13:00 – 13:01
Belinda Balluku: “Çdo gje ok. Lenci me Pellumb. Prite pak Ilir Shtufin e Nova dhe beja te qarte qe shkon me EUT. Dhe mos ta shoh ne vend tjetër. Punët i ke me Gim thuaj, jo me mua”
Evis Berberi: “Ok”

13:54 – 13:55
Ilir Shtufi: “Persh si te kam.. Ilir Shtufi Nova jam. Te tak pak m’kan then kur mundesh”
Evis Berberi (14:07): “Hajde kalo”
Ilir Shtufi: “ok 10 min”

15:09
Evis Berberi: “E takova ok”

21:44 – 21:45
Belinda Balluku: “Ke nje Miranda tek prokurimet. Pamfleti ka te gjithe listen e kompanive fituese tek U”
Evis Berberi (21:47): “Miranda ka qene tere kohes te prokurimet. Miranda s’ka dijeni për emrat”
Balluku (21:49): “Po mire, gjeje kush”

22:13 – 22:14
Evis Berberi:
“Asnje se ka listën, s’ka si ta kene. Pamfleti e ka nxjerre listen apo eshte info. Vetem po te kene qelluar ne shenje me hamendesim se dhe sot kishte ndryshime. Me duket e habitshme pasi vetem une e di. Per çdo lot kane marre kritere ne leter te shtypur pa emer”.

Sipas SPAK, vetëm katër ditë pas këtyre komunikimeve, më 14.09.2021, kompania e Ilir Shtufit “Nova Construction 2012” nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me dy kompani të tjera për të marrë pjesë në tenderin e Unazës së Jashtme (Loti 4), ku edhe u shpallën fitues.

Hetimet për dosjen e plotë vijojnë, ndërsa përgjimet e publikuara pritet të sjellin zhvillime të reja në proces.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit