Zona e Gramshit ka mbetur prej tre ditësh pa energji elektrike, pas një incidenti të rëndë gjatë punimeve të OSHEE-së për instalimin e një transformatori të ri. Sipas banorëve, kamioni që transportonte pajisjen është përmbysur në mes të rrugës, duke bllokuar qarkullimin dhe shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Ngjarja dyshohet të ketë ardhur si pasojë e pakujdesisë gjatë manovrimit të vinçit dhe mungesës së mbështetjes së duhur të kamionit. Gjatë lëvizjes së transformatorit, mjeti ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë në kanal, duke u përmbysur së bashku me pajisjen elektrike.
Videoja e regjistruar nga vendngjarja tregon kamionin e rrëzuar dhe dëmet e shkaktuara. Banorët shprehin pakënaqësi, pasi defekti i shkaktuar ka lënë të gjithë zonën pa energji për disa ditë rresht. Ata kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme dhe rikthimin e furnizimit sa më shpejt, ndërsa presin reagim zyrtar nga OSHEE për shkaqet dhe masat që do të ndërmerren.