Banorët e zonës së Astirit janë shqetësuar nga gjendja e rënduar e rrugës “Loni Ligori”, e cila ka mbetur e pashtruar në një segment prej rreth 100 metrash. Sipas tyre, në këtë pjesë është krijuar një gropë e madhe që po dëmton automjetet çdo ditë, ndërsa trafiku rëndohet ndjeshëm për shkak të kalimit të vështirë të mjeteve. Banorët thonë se kanë bërë vazhdimisht ankesa, por situata vazhdon të përkeqësohet.
Të indinjuar nga mungesa e ndërhyrjes, banorët theksojnë se segmenti është një nga rrugët më të frekuentuara të zonës, ku kalojnë qindra makina çdo ditë. Ata kërkojnë reagim urgjent nga autoritetet për rregullimin e rrugës, pasi dëmet materiale dhe trafiku i krijuar po u vështirësojnë jetesën dhe lëvizjen e përditshme.
"Mirmbrëma, uroj që mesazhi im t’ju gjejë mirë. Pas shumë e shumë ankesash që janë bërë nga banorët e zonës, po na mbetet si zgjidhje e fundit t’ju shkruajmë ju. Rruga ku kalojnë me qindra makina në Astir është në gjendje katastrofike, dhe të vjen keq sepse kanë lënë 100 metra pa shtruar. Problemi është se është bërë një gropë shumë e madhe dhe po prishen makinat radhazi. Përveç kësaj, shkaktohet edhe ngarkesë dhe trafik i kotë. Rruga është Loni Ligori në Astir. Po ju dërgoj edhe një video", thuhet në denoncim.