Gjykata Evelpidon në Athinë ka vendosur masën e arrestit me burg për Igli Shanën, 29 vjeç, i cili akuzohet për rrahjen për vdekje të një shoferi 58-vjeçar grek në zonën e Neos Kosmos. Gjatë seancës, i riu deklaroi se nuk kishte qëllim ta vriste dhe pohoi se konflikti nisi pasi viktima e sulmoi i pari. Ai pretendoi gjithashtu se vdekja nuk u shkaktua nga goditjet, por nga “miokarditi hipertrofik”.
Megjithatë, ekspertiza mjeko-ligjore rrëzoi dyshimet fillestare për një aksident rrugor, duke gjetur shenja të shumta dhune në trupin e 58-vjeçarit. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se Shano e kapi viktimën nga koka dhe e goditi disa herë brenda automjetit. Sipas burimeve policore, makina e viktimës ishte e mbuluar me gjak dhe madje xhami i përparmë rezultonte i thyer.
Bazuar në provat e mbledhura, prokuroria greke ka ngritur ndaj shqiptarit akuzën e vrasjes me dashje në gjendje të qetë mendore. Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa Shano do të qëndrojë në paraburgim deri në përfundim të procesit gjyqësor.