Balluku në GJKKO për masën e sigurisë, paracaktoi fituesin në tendera 210 milionë euro

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 22.11.2025, 08:30

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, paraqitet sot në orën 09:00 në GJKKO për verifikimin e masës së sigurisë, pasi është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera. Gjykata ka vendosur ndaj saj ndalim daljeje jashtë vendit dhe pezullim nga detyra, ndërsa dy vartësit e saj, kreu i ARRSH-së Gentian Gjyli dhe drejtori i KESH-it Erald Elezi, janë lënë në arrest shtëpie. Qeveria ka ankimosur vendimin në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e tij, por gjykata e posaçme theksoi se Balluku nuk është pezulluar si deputete.

SPAK e akuzon Ballukun për ndërhyrje dhe paracaktim të fituesve në dy tendera me vlerë 210 milionë euro: 190 milionë për tunelin e Llogarasë dhe 20 milionë për lotin e katërt të Unazës së Madhe të Tiranës. Sipas hetimeve, ajo ka orientuar proceset tenderuese në bashkëpunim me vartësit, duke favorizuar fitues të caktuar. Gjyqtari Erjon Çela arsyetoi se pezullimi ishte i domosdoshëm për të shmangur rrezikun e përsëritjes së veprës dhe ndërhyrjen në prova, pasi hetimet përfshijnë edhe tenderë të tjerë.

Shkeljet janë zbuluar përmes komunikimeve mes Ballukut dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi. Tenderi i Llogarasë, i anuluar më parë pas një oferte më të ulët, u rihap dhe iu dha kompanive turke me çmim më të lartë. Edhe tek Unaza e Madhe, ofertat më të ulëta u skualifikuan, ndërsa fituese u shpall një ofertë vetëm 5% nën fondin limit. Hetimet pritet të thellohen ndërsa Balluku përballet me masën e sigurisë në gjykatë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit