Autoportreti i Frida Kahlo-s shitet për 54.7 milionë dollarë, mbas 30 vjetësh

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 22.11.2025, 00:29

Një nga veprat më të rralla të Frida Kahlo-s, autoportreti surrealist El sueño (La cama) “Ëndrra (Shtrati)” është shitur në ankand për 54.7 milionë dollarë, duke u bërë vepra më e shtrenjtë e një artiste femër e shitur ndonjëherë.

Ky çmim rekord thyen shifrën e vendosur në vitin 2014 nga artistja amerikane Georgia O’Keeffe, e cila shiti pikturën Jimson Weed/White Flower No.1 për 44.4 milionë dollarë.

Piktura e vitit 1940 u paraqit në ankand nga një koleksionist privat dhe ishte vlerësuar paraprakisht midis 40 dhe 60 milionë dollarësh. Para shitjes, ajo nuk ishte ekspozuar publikisht për afro 30 vjet, duke e kthyer shfaqjen e saj në një ngjarje të rëndësishme për botën e artit. Për publikun, vepra u ekspozua në disa qytete kryesore si Londër, Abu Dhabi, Hong Kong, Paris dhe Nju Jork.

Në këtë autoportret, Kahlo paraqitet e shtrirë në një shtrat që duket sikur lundron mbi një qiell të kaltër të zbehtë. Trupi i saj është i mbështjellë nga hardhi të gjelbra, ndërsa mbi të qëndron një skelet që mban një buqetë lulesh. Motivi i shtratit është i përsëritur në shumë prej veprave të artistes, pasi ajo kaloi periudha të gjata e palëvizshme pas një aksidenti të rëndë me autobus dhe operacioneve të shumta.

Gjatë rikuperimit, familja e saj vendosi një kavaletë të përshtatur dhe një pasqyrë mbi shtratin e saj, në mënyrë që Kahlo të mund të vazhdonte të pikturonte. Në atë kohë ajo shkruante: “Unë nuk jam e vdekur dhe kam një arsye për të jetuar. Kjo arsye është piktura.”

Viti 1940 ishte një periudhë e ngarkuar për Kahlo-n. Ajo u rimartua me Diego Rivera-n, ndërsa ish-partneri i saj, revolucionari rus Leon Trotsky, u vra në Meksikë. Ngjarjet personale, gjendja shëndetësore dhe pasiguritë emocionale gërshetohen dukshëm në intensitetin psikologjik të autoportretit.

Anna Di Stasi, drejtuese e departamentit të artit latino-amerikan në Sotheby’s, e cilësoi El sueño (La cama) si “një nga shumë pak veprat e këtij niveli që ende gjenden në duar private”. Ajo theksoi se piktura mbart të gjitha elementet që e identifikojnë Frida Kahlo-n: autoportretin e fuqishëm, simbolikën surrealiste dhe lidhjen emocionale intensive me shikuesin.

Kjo vepër ishte pjesë e koleksionit privat Exquisite Corpus, i cili përfshinte më shumë se 80 vepra surrealiste nga artistë të njohur si René Magritte dhe Salvador Dalí.

Shitja e këtij autoportreti jo vetëm vendosi një rekord të ri, por riafirmoi edhe një herë ndikimin monumental të Frida Kahlo-s në artin botëror dhe në historinë e artisteve femra.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit