Kardinali i Nderit i Vatikanit, Ernest Simoni Troshani, u rikthye në Rrëshen, në zonën ku ka kaluar 28 vite të jetës si i burgosur politik, për të kryesuar meshën e shenjtë në Katedralen e qytetit. Dhjetëra besimtarë e pritën me duartrokitje, ndërsa ai mbërriti i shoqëruar nga Ipeshkvi Dom Gjergj Meta.
Gjatë meshës, kardinali 97-vjeçar u ndal te roli i familjes, duke dhënë një thirrje të drejtpërdrejtë, sidomos për të rinjtë: “Lidhni kurorë, martesa dhe familja janë të shenjta!”
Në shenjë vlerësimi, Bashkia e Mirditës i akordoi titullin “Mirënjohja e qytetit”. Ipeshkvi Dom Gjergj Meta e cilësoi këtë vizitë një bekim të veçantë për zonën, duke theksuar edhe origjinën mirditore të kardinalit, çka e bën praninë e tij edhe më domethënëse.
Ernest Simoni Troshani është kardinali i dytë me origjinë shqiptare, pas Mikel Koliqit. Ai njihet botërisht për qëndresën e tij të jashtëzakonshme ndaj diktaturës komuniste, periudhë gjatë së cilës u dënua fillimisht me varje në litar. vetëm pse mbajti një meshë përshpirtjeje pas vdekjes së presidentit amerikan John F. Kennedy, dënim që më pas iu kthye në burgim e punë të rëndë.
Rrëfimi i tij emocional gjatë vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri në vitin 2014 prekën thellë Atin e Shenjtë, i cili dy vite më vonë e ngriti Dom Ernest Simonin në rangun e Kardinalit të Kishës Katolike.