Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë që, sipas tij, po rrezikon përditë kalimtarët në zonën e “Pallateve të Verdha”, në rrugën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në Tiranë. Ai thotë se mungesa e një trotuari funksional po i detyron qytetarët, përfshirë fëmijët dhe të moshuarit, të ecin në rrugë mes automjeteve.
Qytetari ngre pikëpyetje serioze për sigurinë: “Si mund të kalojë këtu bashkëshortja ime me fëmijën në karrocë, një i moshuar apo nxënësit?”, duke theksuar se situata po e bën kalimin pothuajse të pamundur.
Ai shprehet se një godinë e vjetër, e cila sipas tij ka shërbyer si shkollë rreth 20 vite më parë, zë të gjithë hapësirën ku duhet të ishte trotuari, duke penguar kalimin e qindra banorëve çdo ditë.
Më tej, denoncuesi thekson se situata përkeqësohet edhe më shumë nga prania e koshave të mbeturinave, të cilët, sipas denoncimit, shpesh janë të tejmbushur dhe burim infeksionesh, duke krijuar rrezik shtesë.
Mesazhi i plotë i qytetarit:
“Përshëndetje JOQ! Dua të ndaj një shqetësim që hasim përditë me familjen dhe fëmijët e vegjël. Ky i ashtuquajtur ‘trotuar’ ndodhet në rrugën Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pranë pallateve të verdha. Imagjino si mund të kaloj bashkëshortja ime me karrocë fëmije, një i moshuar apo nxënësit. Kjo godinë që ka funksionuar si shkollë para 20 viteve bëhet pengesë për kalimin e qindra qytetarëve çdo ditë. Dhe sikur mos mjaftonte kjo, janë dhe kazanët e plehrave që qelben çdo ditë, të mbushur plot minj dhe shpesh herë burim aksidentesh herë pas here. Ju lutem publikojeni sepse nuk po gjejmë zgjidhje nga kërkesat që kemi bërë në bashki.”
Sipas qytetarit, kërkesat e tyre drejtuar bashkisë nuk kanë sjellë deri më tani asnjë zgjidhje. Ai kërkon ndërhyrje urgjente për të garantuar sigurinë e kalimtarëve, sidomos të fëmijëve dhe personave të moshuar.