Autoritetet greke kanë vënë në pranga një 39-vjeçar shqiptar, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër-arresti europian nga Belgjika. I arrestuari është identifikuar si Osmen Hoxha, me origjinë nga Njësia Administrative Qendër në Fier.
Ndërhyrja policore u krye nga oficerët e sektorit të Narkotikëve pranë Drejtorisë së Krimit të Organizuar në Greqi, pasi ndaj Hoxhës rëndonin dyshime për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal me bazë në Belgjikë.
Sipas të dhënave të hetimit, kjo organizatë dyshohet se merrej me importimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut drejt disa shteteve të Evropës, si dhe me ngritjen e plantacioneve të marijuanës dhe impianteve të përpunimit të lëndëve narkotike jashtë territorit belg.
Hoxha lidhet konkretisht me një rast të madh trafiku droge të zbuluar në shtator të vitit 2024, kur në portin e Antwerpit u sekuestrua një kontejner që mbante rreth 500 kilogramë kokainë.
39-vjeçari është paraqitur në Prokurorinë Publike kompetente, ku është vendosur masa e paraburgimit, ndërsa procedurat ligjore dhe hetimet e mëtejshme për këtë çështje vijojnë.