Që nga fillimi i kësaj jave, shirat e shumtë kanë përmbytur thuajse të gjithë vendin, duke shkaktuar situata të rënda në disa qarqe. Lumenjtë kanë dalë nga shtrati, ndërsa argjinaturat janë çarë, duke përmbytur tokat bujqësore dhe banesat.
Prej dy ditësh, argjinatura e lagunës së Vainit në zonën e Tales, Lezhë, është shembur, duke lejuar që uji të vërshojë në fshatrat Mylte, Barbullojë, si dhe në fushën e Treshit dhe të Spitenit, ku niveli i ujit arrin deri në 1 metër. Situata mbetet e rënduar dhe banorët po përballen me dëme të mëdha.
Në Çukë të Sarandës, argjinatura e lumit Bistrica është çarë gjatë natës, duke përmbytur fushat përreth dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Raportohet për 5 banesa të përmbytura dhe dhjetra hektarë tokë nën ujë, ndërkohë që banorët kërkojnë ndihmë me ushqime dhe veshje.
Në Vlorë lumi Pavllo ka dalë nga shtrati në zonën e quajtur Vilë, duke bllokuar rrugën nacionale. Përmbytje ka regjistruar edhe në plantacionet e mandarinave në fushat e Konispolit, Çiflik, Shkallë dhe Mursi. Në Vlorë, lumi Vjosa ka përmbytur 11 banesa në zonën e Novoselës dhe 3 në fshatin Fitore. Në Fier, situata është po ashtu kritike. Në fshatrat përgjatë Vjosës, Kashisht, Çerven dhe Ferras, ujërat kanë përfshirë tokat bujqësore brenda argjinaturës, ndërkohë që niveli i prurjeve në lumin Seman vazhdon të rritet. Nën ujë ndodhen edhe puset e ujit të pijshëm të stacionit të Kafarajt, duke rritur rrezikun për furnizimin me ujë të sigurt.
Lumi Osum ka dalë nga shtrati në Berat, duke përfshirë pedonalen e qytetit dhe duke rrezikuar bizneset përreth. Situata mbetet e rëndë edhe në fshatrat e Korçës, Maliqit, Devollit dhe Kolonjës, ku janë përmbytur toka dhe banesa për shkak të vërshimeve të përrenjve. Raportohet për fshatra të izoluar dhe pa energji elektrike. Një grua e moshuar rezulton e zhdukur prej 12 orësh, ndërkohë që po vijon kërkimi përgjatë përroit ku dyshohet se ka rënë.
Në Pogradec, përroi i Vërdovës ka dalë nga shtrati, duke përmbytur disa banesa dhe duke dëmtuar trotuaret, kanalizimet dhe rrjetin elektrik.
Mot i keq i kësaj jave ka shkaktuar përmbytje në të gjithë vendin, duke prekur mijëra banorë dhe duke dëmtuar tokat bujqësore, banesat dhe infrastrukturën.