Pas shqiptarit Luftar Hysa dhe familjarëve të tij, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione edhe ndaj Ryan Wedding, një trafikant i njohur i kartelit të Sinaloas dhe ish-atlet olimpik kanadez. Wedding akuzohet për drejtimin e një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të kokainës në botë, duke importuar deri në 60 ton kokainë në vit në Los Angeles dhe më pas duke e dërguar edhe drejt Kanadasë. Në listën e sanksioneve përfshihen gjithashtu gruaja e tij, biznesmenë dhe ish-agjentë të përfshirë në operacionet e tij kriminale.
Autoritetet amerikane e përshkruajnë Wedding si “një version modern i Pablo Escobar”, ndërsa FBI-ja ka rritur shpërblimin për kapjen e tij nga 10 në 15 milionë dollarë. Ai është i akuzuar gjithashtu për manipulim dëshmitarësh dhe vrasje, pasi urdhëroi që një dëshmitar bashkëpunues të qëllohej në Medellín, ndërsa gruaja e tij mbijetoi sulmin. Aktakuza e fundit përfshin më shumë se 35 të pandehur, duke përfshirë edhe operacione të pastrimit të parave dhe trafik droge.
Masa sanksionuese e Departamentit të Thesarit amerikan përfshin Wedding, gruan e tij dhe 17 individë të tjerë në Kanada, Meksikë dhe Kolumbi, me qëllim të ndalimit të përfitimeve nga trafiku i drogës dhe shkatërrimin e rrjetit të partnerëve të tij. Në bashkëpunim me autoritetet e vendeve të tjera, janë sekuestruar mbi 13 milionë dollarë në pasuri dhe 3.2 milionë dollarë në kriptomonedha, duke pasqyruar përpjekjet ndërkombëtare për të goditur rrjetet transnacionale të drogës.