Kolaudimi i automjeteve në vendin tonë prej vitesh është bërë një nga temat më të diskutueshme, pasi shumë makina që qarkullojnë nëpër rrugë shfaqin probleme të dukshme. Këto mangësi nuk shihen vetëm tek automjetet personale, por edhe tek ato të punës dhe sidomos tek mjetet e transportit publik apo kamionët me ngarkesa të rënda.
Së fundmi, një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë sonë një situatë shqetësuese të ndodhur në autostradën Durrës–Tiranë. Sipas tij, një kamion që udhëtonte përpara vijonte rrugën me një ngarkesë që dukshëm anonte në njërën anë, duke krijuar rrezik serioz për drejtuesit e tjerë të mjeteve. Pamjet e dërguara nga qytetari tregojnë një mjet që jo vetëm vihet në dyshim për kalimin e kolaudimit, por që potencialisht mund të shkaktonte një aksident të rëndë.
Ky rast ngre edhe një herë pyetje të forta për mënyrën se si kryhet kontrolli teknik i automjeteve në Shqipëri dhe sa të sigurta janë mjetet që dalin çdo ditë në rrugë. Në kushtet kur trafiku sa vjen e rritet dhe ngarkesat e transportit janë gjithnjë e më të mëdha, siguria duhet të jetë në qendër të vëmendjes.