Qeveria ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ankimimin kundër vendimit të GJKKO-s, e cila urdhëroi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, në postin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ky veprim institucional shënon një përshkallëzim të debatit të hapur mes ekzekutivit dhe organit të posaçëm të drejtësisë.
Lëvizja e qeverisë vjen menjëherë pas prononcimit të parë publik të kryeministrit Edi Rama lidhur me këtë çështje, bërë gjatë konferencës për shtyp pas samitit për Planin e Rritjes. Rama deklaroi se shumica respekton vendimin e gjykatës, por theksoi se ai do të dërgohej në Kushtetuese, pasi sipas tij akti i GJKKO-s cenon balancën e pushteteve dhe përbën një ndërhyrje të pajustifikuar në kompetencat e ekzekutivit.
Ndërkohë, vetëm një ditë para depozitimit të ankimimit, qeveria ka marrë një tjetër masë ndaj Ballukut, duke i hequr asaj të drejtën e firmës, çka nënkupton kufizim të mëtejshëm të ushtrimit të kompetencave të saj si anëtare e kabinetit.