Caktohet seanca gjyqësore për Belinda Ballukun dhe vartësit e saj

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 21.11.2025, 13:36

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar më 22 nëntor, në orën 09:00, seancën gjyqësore ku do të kryhet marrja në pyetje e Belinda Ballukut, Gentian Gjylit dhe Erald Elezit, përveç verifikimit të masave të sigurisë për të tre. Kjo seancë shënon një moment kyç në hetimet e çështjeve që lidhen me tenderë publikë dhe menaxhimin e institucioneve shtetërore.

Për Belinda Ballukun, GJKKO ka komunikuar dy masa sigurie: “pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike” nga detyra e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Ajo akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera” në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Po ashtu, Balluku është nën hetim dhe për ndërtimin e Unazës së Madhe, Loti 4.

Kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Gentian Gjylit, dhe drejtorit të KESH, Erald Elezit, GJKKO u ka komunikuar masën “arrest shtëpie”, me argumentin se ekziston rreziku që ata të prishin provat hetimore. Këto masa pasqyrojnë seriozitetin e hetimeve dhe dëshirën e gjykatës për të garantuar integritetin e procesit.

“Përshëndetje të gjithëve! Ju njoftojmë se pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korruspionin dhe Krimin e Organizuar me datë 22.11.2025, ora 09:00 do të zhvillohet seanca gjyqësore për marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit për të pandehurit Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, në kuadër të procedimit penal nr. 136, të vitit 2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në njoftim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit