Siguroi kushtet në atentatin e dështuar ndaj Durim Bamit, mbyllen hetimet për Aldo Avdylin

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 21.11.2025, 13:10

Aldo Avdylit i është komunikuar këtë të premte përfundimi i hetimeve për dosjen “Revanshi”, dhe pritet që materiali t’i kalojë GJKKO-së së bashku me kërkesën për nisjen e gjykimit. Ndërkohë, që prej korrikut 2024, GJKKO ka kaluar për gjykim dosjen “Revanshi”, ku ndër të pandehurit janë edhe Emiliano Shullazi, Astrit Avdyli, Leonard Duka dhe Gjergji Cukali. Në total, të pandehur janë 14 persona, të akuzuar për një sërë veprash të rënda penale. Gjykimi për Aldo Avdylin, për shkak të arrestimit të mëvonshëm, pritet të zhvillohet veçmas.

Ndaj tij ka qenë aktive një masë sigurie në mungesë që prej majit 2024, pasi gjatë hetimeve të dosjes nr. 59, gjykata kishte caktuar “arrest me burg” për akuzën e “sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” ndaj Durim Bamit. Avdyli dyshohet të ketë qenë pjesë e një grupi me mbi 16 persona, të cilët siguruan mjetet dhe planifikuan eliminimin fizik të Bamit, tentativë e cila rezultoi e pa suksesshme.

Kjo dosje çoi në kërkimin e arrestimit të 51 personave dhe ekspozoi bashkëpunimin e 7 grupeve kriminale që vepronin në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fushë-Krujë, Kurbin, Shijak dhe Rrëshen. Për të ekzekutuar Durim Bamin, i shumëkërkuar tashmë nga drejtësia, për llogari të Arben Nokës, i cili e akuzonte të fortin e Niklës për vrasjen e vëllait të tij, dyshohet se për atentatin bashkëpunuan disa persona, mes tyre edhe pjesëtarë të familjes Avdyli, Ervis Martinaj dhe të tjera figura të errëta.

Një tjetër procedim penal, i mbështetur kryesisht në transkriptet e SKY ECC, implikon Aldo Avdylin në vrasjen e Edmir Bregut më 21 janar 2021 në Durrës. SPAK lëshoi disa masa sigurie, përfshirë edhe ndaj Avdylit, por ekzekutimi i tyre u vonua deri në lokalizimin e tij në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, ku ai kishte marrë me qira një apartament. Pas lokalizimit, ai u arrestua.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit