Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga reshje të dendura shiu, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Shqipërisë. Një situatë e rënduar raportohet edhe në fshatin Shalës të Konispolit, ku sipërfaqe të tëra janë nën ujë.
Në këtë fshat, dhjetëra dynym tokë bujqësore janë përmbytur plotësisht, duke dëmtuar rëndë të mbjellat sezonale. Për shumë familje të zonës, këto kultura përfaqësojnë burimin kryesor të të ardhurave dhe mjetet e jetesës, ndaj dëmet e shkaktuara nga uji janë tepër të mëdha dhe shqetësuese.
Banorët e Shalësit shprehen se janë në një situatë të vështirë dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse. Ata apelojnë për ndihmë si në përballimin e dëmeve të shkaktuara, ashtu edhe në marrjen e masave urgjente për të parandaluar përkeqësimin e situatës.