Arsyet e GJKKO për masat ndaj Ballukut: Rrezik arratisjeje dhe ndërhyrje në prova! Rrezikon 5 vite burg

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 21.11.2025, 10:46

Gjykata e Posaçme ka zbardhur vendimin për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si edhe bllokimin e pasaportës së saj. Sipas GJKKO-së, këto masa sigurie janë vendosur pasi, për shkak të funksioneve të saj shtetërore, ekziston rreziku që Balluku të ndërhyjë në procesin hetimor dhe të ndikojë në marrjen apo vërtetësinë e provave të çështjes.

Në vendimin e gjykatës theksohet se e pandehura dyshohet për shkelje të përsëritura në procedura prokurimi, dhe se për shkak të pozicionit të saj, ka mundësi të vijojë kryerjen e veprimeve të ngjashme. Po ashtu, GJKKO sqaron se bllokimi i pasaportës është vendosur për të shmangur rrezikun e mundshëm të largimit nga vendi, duke marrë në konsideratë dënimet e parashikuara me ligj për veprën penale e cila po hetohet.

Po ashtu, në vendimin e GJKKO, sqarohet se bllokimi i pasaportës bëhet për arsye se e pandehura mund të ketë rrezik që të arratiset ndërsa thuhet se për veprën penale të parashikuar, Balluku rrezikon 1 deri në 5 vite burg.

Në dokumentin e zbardhur, gjykata përfshin edhe dy të pandehur të tjerë, Gentian Gjyli dhe Frald Elezi, të cilët mbajnë funksione të rëndësishme në institucionet publike. Sipas GJKKO-së, ekziston rreziku që të gjithë të përfshirët të ndërhyjnë në dokumentacion, të prishin prova apo të vështirësojnë procesin hetimor, pasi organi i procedimit po verifikon aktualisht çdo material të administruar nga institucionet që ata drejtojnë.

“Gjykata vlerëson se, në rastin konkret ekziston rreziku i largimit të të pandehurve të sipërcituar, nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që ata dyshohen, konkretisht nga një deri në pesë vjet burgim për veprën penale të parashikuar nga neni 258 i K.Penal, duke marrë parasysh rrethanën se të pandehurit dyshohen për këtë vepër penale të kryer dy here dhe në bashkëpunim. Në rastin konkret për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurve të sipërcituar, duke qenë në ushtrimin e funksioneve respektive të tyre për shkak të detyrës, ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen, kjo lidhur me rrethanat e veprimeve të kundraligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për Institucionet Qëndrore që ata drejtojnë. Në rastin konkret ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në funksion të hetimit të kësaj çështjeje. pasi për shkak të detyrës që ushtron e pandehura Belinda Balluku. (aktualisht me funksionet e larta shtetërore, Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës). por dhe të pandehurit e tjerë Gentian Gjyli, (aktualisht me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar), Frald Elezi, (me detyrën e Administratorit të Koorporates Elektroenergjitike Shqiptare SH.A). ekziston mundësia që ata të mund të ndërhyjnë dhe të ndikojnë në prishjen ose asgjësimin e provave, në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, kjo nisur nga fakti që organi procedues po verifikon çdo dokumentacion të administruar nga Institucionet”,- sqarohet në vendimin e GJKKO.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit