Reshjet e pandërprera të orëve të fundit dhe prurjet e larta të lumenjve kanë shkaktuar probleme të shumta në qarkun e Elbasanit.
Lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati në fshatin Mirakë, pranë një biznesi privat, duke shembur një pjesë të murit mbrojtës të objektit. Ngjarja ka shkaktuar dëmtime edhe në kanalin e furnizimit me ujë vaditës për fermerët dhe banorët e zonës, duke sjellë vështirësi në qarkullimin e ujit.
Gjatë natës është raportuar edhe rrëshqitje gurësh në aksin kombëtar Elbasan–Librazhd, pranë kthesave të Murrashit. Menjëherë, kompania nënkontraktore ka ndërhyrë për pastrimin e rrugës, dhe qarkullimi është rikthyer në normalitet.
Autoritetet lokale po monitorojnë nga afër situatën, duke u përgatitur për përkeqësim të mundshëm, pasi reshjet pritet të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme.