Banorët e zonës së Tales dhe disa fshatrave të Lezhës raportojnë se argjinatura në Grykën e Vainit vazhdon të jetë e hapur prej më shumë se dy ditësh, duke shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në banesa e toka bujqësore. Në mesazhet e tyre, banorët shprehen se niveli i ujit po rritet nga momenti në moment, ndërsa institucionet nuk kanë ndërhyrë ende për të ndaluar hyrjen e ujit në territor.
Sipas denoncimeve, situata është përkeqësuar që nga mesnata e dy ditëve më parë, kur argjinatura u hap dhe uji nisi të depërtonte me shpejtësi drejt zonave të ulëta. Banorët thonë se janë të pambrojtur dhe kërkojnë urgjentisht ndërhyrjen e autoriteteve përgjegjëse, të cilat sipas tyre nuk janë paraqitur në terren për të marrë masa, pavarësisht rrezikut në rritje.
Në një tjetër mesazh, një banor tregon me video se uji ka hyrë pranë shtëpive dhe thekson se asnjë veprim nuk është bërë për të rregulluar argjinaturën apo hidrovoret. Ata apelojnë që situata të bëhet publike, në mënyrë që institucionet të reagojnë menjëherë për të shmangur dëme të mëtejshme.
Mesazhi 1
“Përshëndetje JOQ! Akoma nuk është mbyllur argjinatura në Lezhë, në Grykën e Vainit. Ju lutem, postoni sepse uji ka dalë nëpër shtëpi. Ky është shtet shtet patatinash, shtet hajnash. Kanë 48 orë dhe nuk mbyllin një argjinaturë 10 metra. Niveli i ujit po rritet nga momenti në moment.”
Mesazhi 2
“Përshëndetje JOQ! Jemi në një fshat të Lezhës dhe ja ku ka ardhur uji. Akoma nuk kanë bërë asgjë për të rregulluar argjinaturën e hidrovorit.”
Mesazhi 3
“Ora 08:14, asnjë nuk duket në argjinaturën e Tales që është hapur që pardje në mesnatë!”