Një rrëshqitje masive dherash ka bllokuar plotësisht rrugën Sarandë–Qafë Botë, pranë pikës doganore, duke vënë në vështirësi dhjetëra drejtues mjetesh. Siç shihet edhe në pamjet e dërguara, një sasi e madhe dheu dhe gurësh ka përfunduar në mes të karrexhatës, duke e bërë të pamundur qarkullimin në këtë segment.
Sipas një qytetari që ka raportuar situatën, ngjarja ka ndodhur që në orët e para të mëngjesit, rreth orës 07:45, por pavarësisht bllokimit total të rrugës, nuk është parë asnjë ndërhyrje nga Bashkia Konispol. Ai shprehet se prej gati një ore, drejtuesit po qëndrojnë të bllokuar pa asnjë informacion dhe pa asnjë masë emergjente në terren.
“Përshëndetje JOQ. Kjo është rruga Sarandë–Qafë Botë, te pika doganore. Asnjë ndërhyrje nga Bashkia Konispol me kryetar Ergest Dule. Ora 07:45. Kemi gati 1 orë dhe nuk shohim asnjë masë”, shkruan qytetari, duke kërkuar që institucionet përgjegjëse të marrin masa sa më shpejt.