“Fiken dritat sa herë bie shi, linja e amortizuar prej vitesh, OSHEE s’merr masa”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 21.11.2025, 00:02

Një qytetare nga zona e Vorës i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një problem të përsëritur prej vitesh në lagjen Bruk, ku energjia elektrike ndërpritet sa herë që bie shi. Sipas saj, linja elektrike është e amortizuar dhe kjo bën që banorët të mbeten pa drita për orë të tëra në çdo mot të keq.

Në videon e dërguar teksa flet përpara një qiriri, ajo shprehet se banorët kanë bërë ankesa të vazhdueshme dhe kërkesa zyrtare, por institucionet përgjegjëse nuk kanë marrë asnjë masë konkrete për të zgjidhur situatën. Qytetarja shton se aktualisht lagjja ka 6 orë pa energji elektrike, dhe se me shumë gjasë dritat nuk do të rikthehen as gjatë natës.

Denoncimi i plotë i banores:

“Mirëmbrëma! Më vjen turp t’ju nis këtë video, por nuk kisha zgjidhje. Ky shqetësim vjen nga lagja Bruk, bashkia Vorë. Është një problem i përsëritur prej vitesh. Linja e amortizuar ka bërë që sa herë bie shi të kemi ndërprerje të energjisë. Kemi ngritur zërin, kemi bërë kërkesë, por asgjë nuk ka ndryshuar. Ju lutem shumë, jeni shpresa e vetme, ndoshta zëri juaj do të gudulisë ndonjë vesh që ka zënë ndryshk. A, se harrova t’ju them: kemi 6 orë pa drita dhe sonte është e sigurt që nuk vijnë.”

Banorët kërkojnë që autoritetet të marrin masa urgjente për të riparuar linjën elektrike dhe për t’i dhënë fund një problemi që po vazhdon prej shumë kohësh, duke u shkaktuar jo vetëm shqetësime, por edhe rrezik real në rast defektesh më të rënda.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit