Ish-punonjësja denoncon “Air Albania”: S’na kanë paguar sigurimet, nuk është marrë asnjë masë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 20.11.2025, 23:07

Ndërsa “Air Albania” po përballet me një krizë të thellë financiare dhe Turkish Airlines ka vendosur të shesë aksionet e saj, një ish-punonjëse e kompanisë ka dërguar një denoncim në redaksinë e JOQ Albania, duke akuzuar menaxhmentin për mospagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve.

Ajo shprehet se çështja është dërguar edhe në prokurori, por pavarësisht kësaj, organet ligjzbatuese nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të zgjidhur padrejtësinë ndaj saj dhe kolegëve të tjerë.

Ky rast vjen në një kohë kur “Air Albania” po përballet me sfida të mëdha ligjore dhe financiare. Turkish Airlines, aksioneri me 49% të kompanisë, ka njoftuar planet për shitjen e aksioneve, ndërsa borxhet e kompanisë raportohen të jenë rritur në 33 milionë dollarë. Përveç kësaj, kompania ka probleme edhe me kontratat për avionët e marrë me qira, duke rezultuar që fluturimet të kryhen vetëm me dy avionë të huazuar nga Fly2Sky dhe Dan Air.

Burimet nga brenda kompanisë konfirmojnë vonesa në pagesat e punonjësve dhe mungesë të sigurimeve, duke treguar një gjendje kolapsi në operacionet e përditshme. Denoncimi i ish-punonjëses thekson se situata e krijuar nuk prek vetëm aspektin financiar të kompanisë, por ka pasoja direkte mbi punonjësit, të cilët po mbeten pa mbrojtje sociale dhe shëndetësore, ndërsa institucionet mbeten të heshtura.

Ky zhvillim ngre pyetje serioze për të ardhmen e kompanisë kombëtare shqiptare dhe për respektimin e të drejtave të punonjësve të saj, ndërsa Turkish Airlines duket tërheqës nga investimi për shkak të krizës së vazhdueshme dhe sfidave ligjore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit