Banorët e Krumës: Po shpërdorohen 1.5 miliardë lekë për një shkollë në gjendje të mirë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 20.11.2025, 13:52

Banorë të Hasit kanë ngritur shqetësimin për mënyrën se si janë shpenzuar fondet publike për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare Krum, për të cilën, sipas tyre, janë dhënë 1 miliard e 500 milion lekë. Ata pretendojnë se godina e shkollës, e ndërtuar nga Banka Botërore në vitin 2012 me një vlerë prej 1 milion e 560 mijë dollarësh, ndodhet ende në gjendje shumë të mirë, me të gjitha kushtet bashkëkohore, si pllaka, suvatime, dyer, dritare dhe kaldajë moderne. Sipas tyre, prishja e kësaj shkolle dhe realizimi i një investimi të ri është i panevojshëm dhe përbën shpërdorim të taksave të qytetarëve.

Ndërkohë, banorët theksojnë se në Has ka institucione arsimore në gjendje shumë më të keqe, si shkolla e fshatit Vlahen, ku nxënësit zhvillojnë mësimin në kushte të mjerueshme, ndonëse fshati është një nga më të mëdhenjtë e zonës. Përmes videos së publikuar, ata i bëjnë thirrje institucioneve që të hetojnë këtë investim dhe të vendosin prioritetet e duhura, duke e cilësuar të trishtë faktin që fondet publike përdoren në mënyrën më të keqe dhe jo atje ku ka nevojë të vërtetë.

Denoncimi i banorëve të Hasit:

Përshëndetje! JOQ, po ju drejtohem kësaj faqe se ju informoni më mirë se kushdo shqiptarët, se pavarësisht që ju jemi drejtuar të gjitha institucioneve, as nuk e kanë vënë ujin në zjarr. Të nderuar shqiptarë, ja si keqpërdoren taksat e shqiptarëve nga Ministria e Arsimit dhe Bashkia Has në investimin e shkollës 9-vjeçare Krum Has me një vlerë 1 miliard e 500 milion, e cila është ndërtuar nga Banka Botërore në vitin 2012 me një vlerë 1 milion e 560 mijë dollar. Është në gjendje shumë të mirë, me pllaka, suvatime, dyer, dritare, kaldajë moderne, dhe është krim të prishet ajo shkollë dhe të bëhen ato shpenzime parash në mënyrë të panevojshme. Ka shkolla në Has të ndërtuar në vitet e monizmit, siç është shkolla në fshatin Vlahen, që është fshati më i madh në Has, ku mësimi bëhet në kushte mizerabël. Nëpërmjet kësaj video shikojeni gjendjen e shkollës 9-vjeçare Krum, që janë dhënë 1 miliard e 500 milion për rikonstruksion. Është trishtuese si shpenzohen lekët e shqiptarëve në mënyrën më të keqe. Ja shikojeni gjendjen e shkollës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit