Zëvendës kryeministrja dhe ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, është vendosur nën dy masa sigurie nga gjykata, pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit. Vendimi kërkon që ajo të dorëzojë detyrat e saj qeveritare, ndërsa moszbatimi i tij mund të çojë në ashpërsim të masave.
Numri dy i qeverisë, Belinda Balluku ka shkuar në Kryeministri pasi GJKKO caktoi ndaj saj masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim dalje nga vendi” pasi u more e pandehur për akuzat e shkeljes së barazisë në tendera, për tunelin e Llogarasë.
Nuk dihet ende nëse ajo është thirrur nga kryeministri Rama për të diskutuar për zhvillimet e fundit që e implikojnë atë në 2 afera. Sa i përket mandatit të saj si deputete, ligji parashikon që gjykata nuk mund të vendosë masa sigurie pa autorizim nga Kuvendi. Kështu, Balluku vazhdon të mbajë funksionin e saj parlamentar deri në një vendim të tillë.
Në rast se situata do të përshkallëzohet ose do të ngrihen masa të reja sigurie, mund të kërkohet edhe heqja e mandatit të deputetes. Ndërkohë, ajo pritet të dorëzojë detyrat qeveritare për të respektuar kërkesën e gjykatës dhe për të shmangur masa shtesë.