Përveç masës së marrë ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila është pezulluar nga detyra dhe i është ndaluar largimi nga vendi, GJKKO ka caktuar masën e “arrestit në shtëpi” edhe për dy zyrtarë të tjerë.
Bëhet fjalë për Erald Elezin, drejtorin e KESH-it, si dhe për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli.
Pasi u mor e pandehur nga SPAK për shkelje me Tenderin e Llogarasë, zv.kryeministrja Belinda Balluku është nën hetim edhe për lotin e katërt të Unazës së Madhe.
Bëhet e ditur se vendimi është marrë një ditë më parë nga gjyqtari Erion Çela, pas kërkesës së paraqitur nga prokurori Dritan Prençi, dhe sot i është dërguar institucioneve për zbatim. Pas marrjes së njoftimit, brenda një afati 72-orësh, Balluku dhe zyrtarët e tjerë të përfshirë duhet të paraqiten në GJKKO për verifikimin e kushteve të masës së sigurisë. Më pas, ata kanë të drejtën e ankimit të vendimit.
Më 31 tetor 2025, Balluku u mor zyrtarisht e pandehur në kuadër të hetimit për procedurat e tenderit të Ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, pjesë e aksit Orikum–Himarë të autostradës SH8 (Vlorë–Sarandë). Tenderi ishte hapur fillimisht më 11 dhjetor 2020, u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 18,967,810,952.08 lekësh pa TVSH.
Hetimi ka nisur pas një kontrolli të kryer në shkurt 2024 në banesën e ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, ku u sekuestruan pajisje elektronike dhe dokumente nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Analiza e këtyre pajisjeve bëri të mundur rikuperimin e komunikimeve mes Berberit dhe bashkëshortes së tij, Adela Ruko, të cilat çuan në zgjerimin e hetimit.
Dosja përfshin edhe verifikime që lidhen me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ndërsa komunikimet e konstatuara mes Ballukut dhe Ervis Berberit – në kohën kur ai drejtonte ARRSH-në janë bërë pjesë e hetimit. Roli i zëvendëskryeministres në dyshimet për paracaktimin e fituesve të tenderave publikë mbetet objekt i procesit hetimor të SPAK.