Situata aktuale e motit dhe përmbytjet në vend

Shkruar nga: A Naçi | Publikuar më: 20.11.2025, 11:43

Shirat e ditëve të fundit kanë rritur prurjet në lumenj çka ka shkaktuar në disa rajone përmbytje.

Këto të fundit kanë qenë të kufizuara në disa fshatra të qarqeve të ndryshëm teksa strukturat e mbrojtjes civile dhe Forcat e Armatosura kanë qenë në terren për të bërë ndërhyrjet e nevojshme në minimizimin e pasojave.

Në përmbledhjen e fundit këtë paradite raportohet gjendja në disa qarqe.

“Strukturat e mbrojtjes civile, njësitë vendore dhe Forcat e Armatosura kanë punuar pa ndërprerje gjatë 24 orëve të fundit për menaxhimin e prurjeve të larta si pasojë e reshjeve të shiut, pastrimin e akseve rrugore, mbrojtjen e banesave dhe evakuimin e qytetarëve në zonat e rrezikuara.

SITUATA SIPAS QARQEVE:

Qarku Durrës

Në Sukth po vijon pastrimi i kanaleve të ujërave me dy eskavatorë, ndërsa në Ishëm po punohet për hapjen e rrugës së bllokuar nga rrëshqitjet. Në Bubq, Mazhë dhe Mallkuç po punohet për normalizimin e zonave të përmbytura dhe asistimin e banorëve. Në Thumanë ekipet po pastrojnë kanalet kryesore dhe po përforcojnë argjinaturat.

Qarku Lezhë

Në Shënkoll po punohet intensivisht për mbylljen e çarjes së argjinaturës së Vainit, ku FA kanë dislokuar mjete të rënda dhe varka për parandalimin e përmbytjeve të fushës së Bregut të Matës. Në Shëngjin është punuar për largimin e ujin nga oborret e shtëpive, pallateve dhe hoteleve me 10 forca të FA, 3 automjete, 3 pompa si dhe 11 forca bashkiake Ndërsa në Kurbin dhe Mirditë po punohet për pastrimin e rrugëve, riparimin e urave. Ekipet e emergjencave ndodhen në terren në ndihmë të banorëve, shtëpitë e të cilëve rrezikohen nga rrëshqitjet.

Qarku Kukës

Subjektet kontraktore po pastrojnë gurët dhe inertet në rrugët nacionale për të mbajtur akset të kalueshme, ndërsa në Ujmisht dhe Zapod po punohet për hapjen e rrugëve të bllokuara nga rrëshqitjet. Në Has po vlerësohen dëmet në urën e dëmtuar.

Qarku Shkodër

Në Shalë është hapur segmenti Theth–Ndërlysaj, ndërsa në pjesën Ndërlysaj–Breg-Lumi ekipet vijojnë punën për zhbllokimin e rrugës së mbuluar nga rrëshqitjet.

Qarku Gjirokastër

Në Libohovë po punohet për zhbllokimin e aksit Suhë–Poliçan pas shembjes së rrugës, ndërsa në Dropull ekipet po punojnë për disiplinimin e ujërave dhe rikthimin e energjisë. Në Memaliaj po ndërhyhet në aksin Allkomemaj–Tepelenë për riparimin e trupit të rrugës. Prania e ujit në disa akse të Gjirokastrës po monitorohet nga strukturat vendore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit