Konsumatorët e energjisë elektrike do të marrin faturat me informacione më të detajuara, duke përfshirë kategorizimin e konsumatorit, bilancet e vetëprodhimit të energjisë, dhe gjithashtu në rast se ka instalime për karikimin e automjeteve elektrike.
Sipas udhëzimit të ri të miratuar së fundmi nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), çdo faturë duhet të përmbajë identifikimin e konsumatorit dhe kategorinë e tij në bazë të kuadrit ligjor, që përfshin familje, konsumatorë të lidhur në 0.4 kV nga Furnizuesi Universal, konsumatorët me konsum të ulët nën 700 kW, objektet kultike, furrat buke dhe prodhimin e miellit, stacionet e karikimit për automjetet elektrike, vetëprodhuesit me burime të ripërtëritshme, si dhe ujësjellës kanalizime të lidhura në tensionin 35 KV/20 KV/10 KV/6 KV.
Furnizuesit e energjisë duhet të përditësojnë sistemet e faturimit elektronik dhe të raportojnë çdo tri muaj listën e kontratave për automjetet me stacion karikimi dhe kapacitetin e vetëprodhimit të energjisë.
Udhëzimi përfshin edhe kërkesa specifike për konsumatorët që kanë stacione karikimi me fuqi mbi 11 kW. Në rast se ky konsumator nuk ka kontratë furnizimi të rregullt, Furnizuesi i Shërbimit Universal duhet të gjenerojë një kontratë të re. Konsumatorët ekzistues nuk do të paguajnë kosto shtesë për instalimin e pajisjeve matëse për këto stacione.
Të gjithë konsumatorët të rinj që do të aplikojnë për herë të parë për stacione karikimi mbi 11 kW duhet të lidhin kontratë të re me furnizuesin e energjisë.
Hyrja në fuqi e këtij udhëzimi bëhet pasi të publikohet në Fletoren Zyrtare, dhe do të fillojë të zbatohet nga muaji i dhjetorit 2025.