Rrugët në lagjen Lurë të Bashkisë Kamëz prej kohësh ndodhen në një gjendje të degraduar, duke u kthyer në një problem të përditshëm për banorët. Gropat, balta dhe mungesa totale e infrastrukturës e kanë bërë zonën pothuajse të pakalueshme, ndërsa qytetarët shprehen se askush nga autoritetet vendore nuk ka ndërhyrë për të përmirësuar situatën.
"Përshëndetje JOQ. Këtu jemi në lagjen Lurë, Bashkia Kamëz. Rrugët, siç e shikoni, janë në gjendje të mjerueshme. Nuk ka asnjë lloj investimi nga Bashkia Kamëz. Publikojeni ju lutem", shkruan qytetari.
Banorët tregojnë se kanë bërë vazhdimisht ankesa, por sipas tyre Bashkia Kamëz, nën drejtimin e kryebashkiakut Rakip Suli, nuk ka marrë asnjë masë konkrete. Sipas tyre, zona është lënë në harresë, dhe mungesa e investimeve e ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e infrastrukturës.
Përmes fotove dhe videove, banorët kërkojnë reagim urgjent, duke theksuar se preken jo vetëm qarkullimi i përditshëm, por edhe shërbimet bazë. Ata kërkojnë përgjegjësi nga Bashkia Kamëz dhe zgjidhje të menjëhershme, duke theksuar se situata aktuale është e papranueshme për një zonë urbane që pret shërbime minimale nga pushteti vendor.