Prej shtatë ditësh, terminali i autobusëve në Bulqizë është i paralizuar nga përmbytjet, ndërsa Bashkia Bulqizë dhe kryebashkiakja Festime Mjeshtri nuk kanë arritur të marrin masa efektive për normalizimin e situatës. Uji që ka mbuluar si terminalin ashtu edhe rrugën që lidh dy lagjet kryesore të qytetit ka vështirësuar ndjeshëm lëvizjen, duke krijuar kaos në qarkullim dhe shqetësim tek qytetarët.
Ndërhyrja me mjet zjarrfikës e bashkisë rezultoi plotësisht e pasuksesshme, duke ngritur kritika mbi menaxhimin e situatës nga autoritetet vendore. Bizneset pranë terminalit raportojnë humbje dhe paralizim të aktivitetit, ndërsa banorët shprehen të indinjuar se prej ditësh askush nuk ka marrë masa konkrete për zhbllokimin e zonës. Sipas tyre, kjo përmbytje ka nxjerrë në pah mungesën e mirëmbajtjes së kanaleve kulluese dhe përgatitjes së bashkisë për situata të tilla.
Ndërsa bashkia i është drejtuar Emergjencave Kombëtare për ndihmë, dyshohet se problemi buron nga mosfunksionimi prej kohësh i kanaleve kulluese që zbresin nga Qafa e Buallit. Grumbullimi i ujit në ditë me reshje dhe derdhja e tij drejt terminalit ka qenë i parashikueshëm, çka ka rritur zërat kritikë ndaj administratës së kryebashkiakes Mjeshtri, të cilët kërkojnë përgjegjësi dhe zgjidhje të menjëhershme të situatës.