Daniel Pepa, i dyshuari për vrasjen e Florian Paluçit në Manzë, është dorëzuar në Prokurorinë e Durrësit, ku ka deklaruar se ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes. Ai ka pretenduar se Paluçi hapi i pari zjarr, duke vrarë shokun e tij, Aranit Kurtin, çka sipas tij e detyroi të reagonte për të shmangur një atentat të mundshëm ndaj tij. Pepa ka theksuar se veproi nën tronditje të fortë psikike dhe vetëm për të mbrojtur jetën e tij.
Megjithatë, pamjet filmike të siguruara nga policia, të cilat përbëjnë provën kryesore të hetimit, tregojnë se Florian Paluçi ka qëlluar fillimisht në tokë dhe më pas drejt Daniel Pepës, pa e goditur. Në përpjekje për të ndalur konfliktin, Aranit Kurti e ka goditur Paluçin me grusht dhe është larguar me vrap, por Paluçi e ka qëlluar një herë pas shpine, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, Daniel Pepa ka qëlluar vetëm një herë, duke goditur pas shpine Florian Paluçin, i cili u rrëzua dhe ndërroi jetë pak çaste më vonë. Hetimet për ngjarjen e rëndë të 22 tetorit 2025 po vijojnë, ndërsa prokuroria pritet të përcaktojë nëse pretendimi i Pepës për vetëmbrojtje qëndron përballë provave filmike.