Shumëkush mendon se pirja e një apo dy cigareve në ditë “nuk bën ndonjë dëm të madh” krahasuar me duhanpirësit e rëndë. Por një studim i ri shkencor ka hedhur poshtë këtë bindje, duke zbuluar se edhe sasia minimale e duhanit mund të ketë pasoja serioze për shëndetin.
Sipas kërkimit të kryer nga Universiteti Johns Hopkins, ku u analizuan më shumë se 300 mijë të rritur për një periudhë rreth 20-vjeçare, personat që pinin vetëm dy cigare në ditë kishin një 60% rrezik më të lartë vdekjeje nga çdo shkak krahasuar me ata që nuk kishin pirë kurrë.
Studimi, i publikuar më 18 nëntor në revistën mjekësore PLOS Medicine, arriti edhe në një tjetër përfundim alarmues: duhanpirësit e lehtë kishin 50% rrezik më të lartë për sëmundje të zemrës.
Dr. Jennifer Miao, kardiologe në Universitetin Yale, shpjegon se duhani dëmton drejtpërdrejt enët e gjakut, duke përshpejtuar krijimin e pllakave dhe sëmundjet koronare. Ndërsa Dr. Erfan Tasdighi, bashkëautor i studimit, thekson se edhe më pak se një cigare në ditë mund të rrisë rrezikun e problemeve të shumta kardiovaskulare.
Megjithatë, ka edhe një mesazh të rëndësishëm: sipas mjekëve, ndalimi i duhanit ul rrezikun menjëherë dhe në mënyrë domethënëse.
“Të heqësh dorë nuk është e lehtë, por është vendimi më i rëndësishëm për shëndetin tuaj,” deklaron Dr. Tasdighi, duke shtuar se nuk ekziston “sasi e sigurt” e konsumimit të duhanit.