Korrieri me motor të fikur që sfidon stuhinë për të dërguar porosinë në destinacion

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 20.11.2025, 00:13

Në një mbrëmje të zymtë, kur shiu derdhej me vrull mbi Tiranë dhe rrugët ishin kthyer pothuajse në lumenj të vegjël, në redaksinë e JOQ Albania mbërriti një video që flet më shumë se çdo fjalë. Një moment i thjeshtë, por me një peshë të madhe njerëzore, i cili na kujton se kush janë njerëzit që shpesh i marrim të mirëqenë.

Pamjet janë regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Myslym Shyrit. Në to shihet një korrier i lagur kokë e këmbë, i cili nuk po udhëtonte më, por po shtynte motorin e tij të fikur mes shiut të rrëmbyeshëm. Moti i keq duket se kishte bërë të vetën, duke e lënë mjetin në mes të rrugës.

Por ai nuk u ndal.

Edhe pse i vetëm, në errësirë, me një motor të fikur dhe shiun që s’i linte qetësi as për të marrë frymë, ai vazhdoi të ecte përpara. Misioni i tij nuk ishte thjesht një porosi. Ishte detyra që ai ndiente se duhet ta përfundonte, pavarësisht kushteve.

Qytetari që e filmoi skenën e shoqëroi videon me fjalët: “Edhe në kushte të tilla sjellin porositë kudo, respekte!”

Një koment i thjeshtë, por që përmbledh të gjithë sakrificën e qindra djemve e vajzave që çdo ditë lëvizin në çdo cep të kryeqytetit, qoftë në vapë, qoftë në stuhi, vetëm që shërbimi të mbërrijë në kohë.

Këto pamje janë një kujtesë e butë, por e fuqishme: pas çdo porosie që marrim, qëndron dikush që mund “po lufton” me motin, trafikun, rraskapitjen… dhe sërish nuk heq dorë nga puna e tij.

Herën tjetër që ju troket dera, mos harroni, përtej saj mund të jetë një hero i heshtur, që sapo ka sfiduar shiun për t’ju shërbyer.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit