“Mjaft më”! Në 20 Nëntor shqiptarët ngrihen kundër abuzimit me kafshët

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 19.11.2025, 23:36

Të enjten, më 20 nëntor, në orën 11:00, në Sheshin Skënderbej, pritet të zhvillohet një protestë e gjerë me pjesëmarrjen e aktivistëve, vullnetarëve, përfaqësuesve të organizatave të mbrojtjes së kafshëve dhe qytetarëve nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi i kësaj proteste është të adresojë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe institucionale, fenomenin alarmant të abuzimit me kafshët endacake dhe mungesën e transparencës në trajtimin e tyre nga autoritetet vendore.

Në muajt e fundit, denoncimet për helmime, zhdukje dhe keqtrajtime të qenve endacakë janë shtuar ndjeshëm. Çdo ditë, dhjetëra raste të reja mbërrijnë në redaksinë e JOQ, ku qytetarë nga qytete të ndryshme raportojnë raste të kafshëve të helmuara, trajtime të dhunshme, abuzime me fonde, ose mosreagim të autoriteteve edhe kur situatat janë të rënda dhe të dokumentuara. Sipas aktivistëve, këto denoncime përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të problemit real, pasi një numër i madh rastesh nuk raportohen fare ose humbasin në mungesën e ndjekjes institucionale.

Vullnetarët theksojnë se kjo situatë, e cila ka vite që vazhdon, është bërë e papranueshme dhe kërkon reagim të menjëhershëm. Sipas tyre, trajtimi i qenve endacakë nuk mund të vazhdojë në mënyrë të pakontrolluar, ndërkohë që fondet publike të dedikuara për këtë qëllim trajtohen pa transparencë, dhe në disa raste dyshohet se keqpërdoren.

Raportimet e muajve të fundit tregojnë për një përkeqësim të dukshëm të mënyrës së trajtimit të kafshëve endacake. Në disa bashki, qytetarët thonë se praktikohen metoda të paligjshme për “menaxhimin” e qenve, përfshirë, helmime të koordinuara në zona urbane, zhdukje të kafshëve nga rrugët pa dokumentim, kushte të papërshtatshme në strehat veterinare, abuzime nga punonjës të shërbimeve bashkiake, mungesë totale transparence për vendndodhjen dhe trajtimin e qenve të kapur.

Organizatat për mbrojtjen e kafshëve theksojnë se ligji shqiptar për mbrojtjen e kafshëve ekziston, por nuk zbatohet në praktikë. Shkeljet, sipas tyre, ndodhin shpesh edhe nga vetë strukturat shtetërore që duhet të jenë garant i respektimit të këtij ligji.

Në kuadër të protestës së 20 nëntorit, aktivistët kanë formuluar një listë me kërkesa konkrete drejtuar institucioneve, me synimin për të garantuar zbatim real të ligjit dhe menaxhim transparent të çështjeve që lidhen me kafshët endacake.

Kërkesat e aktivistëve:

1.⁠ ⁠Ndalimi i menjëhershëm i helmimeve dhe çdo forme tjetër të zhdukjes së qenve endacakë në gjithë Shqipërinë.

2.⁠ ⁠Ndjekje penale dhe largim i menjëhershëm nga detyra për çdo person apo punonjës shtetëror që abuzon me detyrën dhe kryen krime ndaj kafshëve.

3.⁠ ⁠Hetim nga SPAK për fondet që bashkitë perdorin për qentë endacakë dhe transparencë se ku përfundojnë. Hetim per numrin e qenve qe marrin ne Strehezat Veterinare dhe ku perfundojne ata.

4.⁠ ⁠Përfshirja e strukturave të BE-së për forcimin e bazës ligjore dhe zbatimin real të dënimeve jo vetëm ligje vetem në letër.

5.⁠ ⁠Angazhimi i organizatave dhe ambasadave të huaja në mbështetje të kauzës sonë.

6.⁠ ⁠Akses i përditshëm për vullnetarët në Strehën Veterinare Tiranë dhe në çdo zonë ku mbahen qentë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit