Një punonjës veteran i FBI-së ka ngritur padi kundër kësaj agjencie, duke pretenduar se është pushuar nga puna pasi kishte vendosur një flamur LGBTQ në vendin e tij të punës.
Sipas CBS News, David Maltinsky, i cili kishte punuar për FBI-në për 16 vite dhe ishte në javët e fundit të trajnimit për t’u bërë agjent special në akademinë e Quantico-s, u thirr muajin e kaluar në një takim me zyrtarë të agjencisë. Aty, sipas padisë, atij iu komunikua me një letër se marrëdhënia e punës me FBI-në përfundonte menjëherë, për shkak të “shfaqjes së paautorizuar të një simboli” në vendin e punës.
Letra e pushimit nga puna, e firmosur nga drejtori i FBI-së, Kash Patel, sipas dokumenteve gjyqësore, thekson se Maltinsky kishte treguar “gjykim të dobët” duke ekspozuar flamurin në ambientet e zyrës.
Në padi thuhet se flamuri ishte sjellë dhe vendosur në zyrën e FBI-së në Los Angeles në vitin 2021, dhe se Maltinsky kishte vepruar me dijeninë dhe miratimin e eprorëve të tij të atëhershëm. Ai pretendon gjithashtu se pas ndryshimit të administratës amerikane, është krijuar një atmosferë presioni ndaj disa punonjësve, duke përmendur një “listë” të personave të konsideruar të padëshirueshëm.
Në intervistën e dhënë për CBS, Maltinsky shprehet se kishte frikë se do të ishte pjesë e kësaj liste, ndërsa padia parasheh edhe pretendime për shkelje të të drejtave kushtetuese lidhur me shprehjen dhe simbolikën e përdorur.
Nga ana tjetër, FBI nuk ka dhënë komente për rastin.
Padia është depozituar në Gjykatën Federale në Uashington dhe ka si të paditur drejtues të FBI-së, Prokuroren e Përgjithshme, Pam Bondi, dhe Departamentin e Drejtësisë. Maltinsky kishte përfunduar 16 nga 19 javët e trajnimit për t’u bërë agjent special kur u pushua, sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë.
Ndërkohë, raportimet nga Justice Connection thonë se prej janarit, mbi 5000 punonjës të Departamentit të Drejtësisë janë larguar ose pushuar, përfshirë dhe persona të përfshirë në hetimet e mëparshme ndaj presidentit Trump dhe raste të tjera të ndjeshme.