Shqiptarë: Satiri ka nevojë për një dhomë të ngrohtë

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 19.11.2025, 21:21

4 ditë pa bukë për të blerë plasmasin!

Ky është realiteti tronditës ku jeton Satir Bërdufi, një burrë i moshuar nga fshati Peshtresh, në njësinë administrative Gjinar, rreth dy orë larg Elbasanit.

Satiri jeton i vetëm, në një shtëpi të rrënuar, pa asnjë kusht minimal jetese. Shpesh bie të flejë i uritur, ndërsa ditë të tjera detyrohet të hajë ushqim të ndenjur, sepse nuk ka as mundësi, as zgjedhje tjetër.

Në shtëpinë e tij nuk gjendet asnjë pajisje elektroshtëpiake, e vetmja gjë që e shoqëron ndonjëherë është një radio e vjetër, që mezi funksionon.

Çatia e shtëpisë së tij është aq e dëmtuar, sa çdo rrebesh shiu bie brenda pa asnjë pengesë. Satiri tregon se ka kërkuar disa herë nga Njësia Administrative Gjinar qoftë edhe një mushama të thjeshtë për të mbuluar çatinë, por përgjigja ka qenë gjithmonë heshtja.

I pamartuar dhe pa fëmijë, ai përballet i vetëm me skamjen, frikën, të ftohtin dhe mërzinë që e shoqëron çdo ditë të jetës së tij.

I braktisur nga shteti, shpresa e tij e vetme janë shqiptarët me zemër të madhe. Kërkesa e tij nuk është e madhe, ai dëshiron vetëm një dhomë të ngrohtë, të sigurt, ku të kalojë dimrin e acartë që po afron.

Satiri nuk ka telefon, ndaj kushdo që ka mundësi të ofrojë ndihmë, ju lutemi të kontaktojë me gazetarët tanë në numrin: +355 69 31 70 366.

Çdo kontribut, sado i vogël, ka rëndësi të madhe. Bashkë mund të bëjmë një mrekulli për këtë njeri të thjeshtë, me zemër të pastër dhe me shpresën e fundit të varur te ne.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit