Turqit heqin dorë nga “Air Albania”, Turkish Airlines nxjerr në shitje aksionet pas kolapsit financiar

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 19.11.2025, 21:02

Kompania ajrore shqiptare “Air Albania” po përballet me një krizë të thellë financiare, ndërsa aksioneri i saj turk, Turkish Airlines, ka vendosur të shesë të gjithë 49% të aksioneve që zotëron. Lajmi është konfirmuar nga mediat turke dhe pritet të njoftohen detaje të mëtejshme në lidhje me investitorët.

Aktualisht, struktura e aksionerëve të “Air Albania” është kjo , Turkish Airlines – 49%, MDN Investment (në pronësi të Sinan Idrizi) – 41% ALBcontrol – 10% (në QKB rezulton 1%)

Që nga themelimi i kompanisë në vitin 2018, “Air Albania” nuk ka publikuar pasqyra financiare zyrtare, duke mos dhënë informacion mbi të ardhurat, shpenzimet, fitimet apo humbjet, siç parashikon ligji. Megjithatë, Turkish Airlines raportonte në bilancin e 9-mujorit të vitit 2023 se borxhet e kompanisë arrinin 33 milionë dollarë, një rritje prej 7 milionë dollarësh krahasuar me vitin e mëparshëm.

Përveç krizës financiare, kompania po përballet edhe me probleme ligjore. Sipas një kallëzimi penal të depozituar në SPAK nga kompania amerikane Gat Aircraft and Engine Leasing Limited, “Air Albania” nuk ka respektuar kontratën e qirasë për dy avionë A320-200, të marrë me qira në vitin 2023. Avionët nuk janë paguar për periudhën janar–mars 2025, dhe përkundër kërkesës për kthim, ortakët e kompanisë, përfshirë Sinan Idrizin dhe Sinan Isik, i kanë mbajtur avionët dhe i kanë përdorur për fluturime tregtare, pa paguar detyrimet përkatëse në “Euro-Control”.

Për të shmangur sekuestrimin, avionët janë parkuar që nga 6 gushti 2025 në Aeroportin e Stambollit, nën mbrojtjen e Turkish Airlines. Kjo situatë ka bërë që “Air Albania” të mos zotërojë asnjë avion të vetin. Aktualisht, fluturimet e kompanisë kryhen vetëm me dy avionë të huazuar nga Fly2Sky dhe Dan Air, duke ofruar shërbime të kufizuara drejt Stambollit, Ankarasë dhe disa qyteteve italiane si Bologna, Milano dhe Verona.

Burime nga brenda kompanisë raportojnë vonesa në pagesat e punonjësve, mungesë sigurimesh dhe një gjendje kolapsi në operacionet e përditshme të “Air Albania”.

Ky zhvillim përbën një goditje të rëndë për kompaninë kombëtare shqiptare dhe ngrit pyetje për të ardhmen e saj, ndërsa Turkish Airlines duket se po tërhiqet nga investimi pas problemeve të shumta financiare dhe ligjore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit