Kualifikimi historik në ‘play-off’-et e një Kampionati Botëror nuk është shoqëruar me ngjitje në renditjen e FIFA-s për kombëtaren shqiptare. Në përditësimin e muajit nëntor, kuqezinjtë kanë humbur dy pozicione, duke zbritur nga vendi i 61-të në të 63-in. Ky regres vjen pas dy rezultateve të fundit: fitores minimale 0–1 kundër Andorrës dhe humbjes 0–2 ndaj Anglisë.
Ndërkohë, sytë e tifozëve tashmë janë drejt Nyonit të Zvicrës, ku nesër do të hidhet shorti i ‘play-off’-it të Botërorit. Në garë janë 16 përfaqësuese evropiane, të cilat do të luftojnë për vetëm katër vende në fazën finale të turneut. Ato janë ndarë në katër vazo, dhe Shqipëria gjendet në vazon e tretë së bashku me Irlandën, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën.
Kundërshtarët e mundshëm të kuqezinjve do të vijnë nga vazoja e dytë, ku ndodhen Polonia, Uellsi, Çekia dhe Sllovakia. Po të njëjtët rivalë të mundshëm ka edhe Kosova, e pozicionuar në të njëjtën vazo me Shqipërinë.
Nëse kuqezinjtë arrijnë të kalojnë gjysmëfinalen, në ndeshjen finale do të përballen me fituesin që del nga përplasja mes vazos 1 dhe 4, të cilat ndeshen mes tyre në gjysmëfinale. Shorti i nesërm do të përcaktojë rrugëtimin e plotë të çdo skuadre, duke caktuar jo vetëm çiftet, por edhe renditjen e mundshme deri në finale.
Gjyshmëfinalet do të luhen me një ndeshje të vetme, ku përfaqësueset e vazos 1 dhe 2 do të kenë avantazhin e fushës. Në rast barazimi pas 90 minutave, ndeshja do të shkojë në shtesë dhe më pas, nëse duhet, te penalltitë. Ndërkaq, stadiumi ku do të zhvillohet finalja do të përcaktohet po ashtu nga shorti.
Shpresa dhe entuziazmi janë të mëdha. Shqipëria e ka siguruar tashmë një kapitull të ri historik, por objektivi final mbetet më i madh se kurrë: biletën për në Kampionatin Botëror.