Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Fredi Belerit, duke konfirmuar vendimin e Apelit të Posaçëm për të mos hapur hetim ndaj ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj, ish-deputetit socialist Artan Gaçi. Kjo është hera e tretë që një institucion i drejtësisë mbyll çështjen në favor të çiftit.
Treshja e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Sokol Binaj si relator, dhe anëtarët Ilir Panda e Sander Simoni, vendosi të lërë në fuqi vendimin e mëparshëm, duke mos i hapur rrugë hetimit për çështjen e tokave në Himarë ku planifikohej ndërtimi i një resorti turistik dhe ku Gaçi kishte marrë statusin e “investitorit strategjik”.
SPAK kishte vendosur dy herë mosfillimin e procedimit penal për Xhaçkën dhe Gaçin, ndërsa Beleri i kallëzoi ata për disa vepra penale që lidhen me privatizimin e sipërfaqeve të tokës.
Ndërkohë, prokuroria e posaçme ka marrë të pandehur ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, i cili akuzohet për shpërdorim detyre në procesin e tjetërsimit të dy parcelave të tokës, pikërisht ato mbi të cilat Artan Gaçi fitoi statusin e investitorit strategjik.
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë i mbyll mundësitë ligjore të Belerit për të kërkuar hetim ndaj çiftit Xhaçka–Gaçi, duke vulosur përfundimisht këtë çështje në sistemin e drejtësisë.