WhatsApp, një nga aplikacionet më të përdorura në botë, është përballur me kritika të forta pasi studiues austriakë zbuluan se numrat e telefonit të të gjithë 3.5 miliardë përdoruesve të tij kanë qenë për vite të tëra lehtësisht të aksesueshëm nga hakerat.
Rritja e shpejtë e platformës ka ardhur pjesërisht nga thjeshtësia e përdorimit, ku mjafton vetëm numri i telefonit për të pasur një kontakt. Por pikërisht kjo veçori ka krijuar një boshllëk të madh sigurie, i cili mund të jetë shfrytëzuar nga aktorë të ndryshëm keqdashës
Sipas studiuesve, çdo person që disponon numrin e një tjetri ka mundur të kontrollojë jo vetëm nëse ai përdor WhatsApp, por edhe të shohë foton e profilit dhe tekstin e tij informues, nëse ato nuk ishin të vendosura si private. Ekipi kërkimeve zbuloi se ishte e mundur të shtoheshin miliarda numra telefoni në WhatsApp Web dhe sistemi automatikisht tregonte informacionet bazë të llogarive të lidhura me këta numra. Kjo metodë nuk kërkonte asnjë teknikë të avancuar hakimi, thjesht imitonte procesin e zakonshëm të shtimit të kontakteve, vetëm se në një shkallë të jashtëzakonshme
Studiuesit arritën të skanonin deri në 100 milionë numra telefoni në orë në fillim të këtij viti. Ky problem ishte raportuar fillimisht që në vitin 2017, por Meta, kompania mëmë e WhatsApp, nuk kishte ndërmarrë masa efektive për ta parandaluar. Vetëm pas njoftimit të ri që studiuesit austriakë i dërguan kompanisë në prill të këtij viti, Meta aplikoi kufizime shpejtësie në tetor për të penguar kontrollin masiv të kontakteve
Megjithatë, fakti që për shumë vite sistemi ka qenë i pambrojtur ngre shqetësime serioze. Në këtë periudhë, çdo grup hakerash ose individ me qëllime të dëmshme ka pasur mundësi të mbledhë të dhëna në shkallë të gjerë pa u vënë re. Meta nga ana e saj deklaroi se informacionet e ekspozuara janë të dhëna bazike që konsiderohen publikisht të disponueshme dhe se përdoruesit që kanë vendosur privatësinë nuk janë prekur. Kompania theksoi gjithashtu se nuk ka gjetur prova për abuzime nga hakera dhe se studiuesit nuk kanë pasur akses në të dhëna që nuk janë publike
Megjithëse Meta siguron se rreziku ka qenë i kufizuar, zbulimi nxjerr në pah një dobësi të rëndë që ka ekzistuar për gati një dekadë dhe që ka lënë të ekspozuar një nga bazat më të mëdha të përdoruesve në botën dixhitale.