Onkologjiku në vitin 2025: Gratë me kancer trajtohen ende si në vitet ’80”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 19.11.2025, 19:31

Një denoncim tronditës vjen nga Spitali Onkologjik në Tiranë, ku trajtimi i grave me kancer në vitin 2025 përshkruhet si kthim pas në kohë. Pacientet marrin kimioterapi të ulura në karrige të zakonshme, pa poltronë, pa privatësi dhe pa kushtet minimale që kërkon trajtimi onkologjik modern.

Sipas denoncimit të gazetarit Osman Stafa, nuk ka as shiringa elektrike, as pompa infuzioni, duke bërë që kimioterapia të jepet me gravitet, një metodë e vjetër dekadash, me rreziqe serioze të mbidozës, nën-dozës, bllokimeve dhe reaksioneve alergjike që mund të ndodhin pa asnjë alarm paraprak.

Mungojnë edhe port-cat-et, pajisje standarde në vendet e zhvilluara. Pacientët shpojnë venat çdo herë nga e para, duke përjetuar dhimbje, rrezik dëmtimesh të indeve dhe komplikacione të rënda që shmangen lehtësisht me procedurat moderne.

“Ky nuk është trajtim. Ky është mbijetesë,” thuhet në mesazh, i cili denoncon se sistemi shëndetësor është dorëzuar dhe pacientët po e paguajnë këtë me dinjitetin dhe shëndetin e tyre.

Denoncimi ngre alarmin se kushte të tilla janë të papranueshme për një vend që pretendon standarde europiane dhe se përgjegjësia bie mbi institucionet që kanë lejuar degradimin e shërbimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit