Moti i keq që ka përfshirë vendin dy ditët e fundit, i shoqëruar me reshje të dendura shiu, ka sjellë problematika serioze edhe në gjendjen hidrike të lumenjve.
Referuar të dhënave të fundit, prurjet në lumin Vjosë janë rritur ndjeshëm, sidomos në zonat Përmet – Memaliaj, me një situatë veçanërisht kritike pranë Urës së Mifolit.
Kjo gjendje ka detyruar rritjen e gatishmërisë së strukturave operacionale për menaxhimin dhe parandalimin e çdo situate të mundshme përmbytjeje.
Raportohet se Vjosa është në pikë kritike dhe po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm, për shkak të rrezikut që lumi të dalë nga shtrati.
Për të ndërhyrë në rast nevoje, pranë pikave më të rrezikuara janë vendosur mjete të tonazhit të rëndë dhe logjistikë, duke përfshirë 5 skrepa/fadroma dhe mjete të larta transporti.
Pamjet ajrore me dron të filmuara në Novoselë, pranë Urës së Mifolit, reflektojnë qartë nivelin kritik të lumit.