Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 25 vite burg për ish-efektivin e policisë Tomorr Çela, i akuzuar për vrasjen e dy të rinjve, Elton Dani dhe Ledian Hoxha, në nëntor të vitit 1997. Çela, i cili ishte në arrati për më shumë se dy dekada, u lokalizua në SHBA dhe u ekstradua drejt Shqipërisë në vitin 2022. Sipas organit të akuzës, ngjarja daton më 27 nëntor 1997, në rrugën “Bajram Curri” në Tiranë, ku i pandehuri ka qëlluar me armë automatike ndaj dy viktimave, duke u shkaktuar atyre vdekjen e menjëhershme.
Hetimet kanë zbuluar se konflikti ka nisur tre deri në katër ditë para vrasjes, pas një përplasjeje me automjet mes Çelës, që udhëtonte me një Mercedes 240, dhe mjetit Volvo ku ndodheshin Dani dhe Hoxha. Aksidenti ka shkaktuar një debat të fortë mes palëve, i cili më pas është kthyer në konflikt dhe dyshohet se ka çuar në ekzekutimin e dyfishtë. Prokuroria thekson se Çela ka qenë i armatosur me një automatik tip kallashnikov, të cilin nuk e kishte dorëzuar pas largimit nga detyra si punonjës policie.
Sipas dosjes hetimore, i pandehuri është shmangur për vite me radhë nga drejtësia dhe nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese për krimin e kryer. Duke marrë parasysh rrethanat e ngjarjes, provat e mbledhura dhe kornizën ligjore që parashikon dënimin për “vrasje me paramendim” në bashkëpunim, Prokuroria kërkon shpalljen fajtor të Tomorr Çelës dhe dënimin e tij me 25 vite burg.