Erion Isai i shembi stallën, fermeri dhe bagëtitë e tij mbeten në qiell të hapur dhe mes të shiut

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 19.11.2025, 15:07

Pak muaj më parë, JOQ Albania raportoi rastin e Elio Beqos, një banor i Ersekës, i cili denoncoi një veprim të paprecedentë të kryetarit të Bashkisë Kolonjë, Erion Isai. Sipas tij, Isai urdhëroi prishjen e një stalle lopësh të ndërtuar në një tokë të pajisur me certifikatë pronësie dhe që ndodhej në proces legalizimi.

Sipas Beqos, ky veprim ishte shkelje e qartë e ligjit pasi toka ishte në një procedurë të miratuar legalizimi dhe nuk ekzistonte asnjë bazë ligjore për shembjen e objektit.

Sot, që dimri ka ardhur dhe reshjet e shiut kanë nisur, fermeri ndodhet i braktisur “në mes të katër rrugëve”, së bashku me bagëtitë e tij lopë dhe viça që deri dje strehoheshin në stallën e shembur.

Kafshët kanë mbetur në qiell të hapur, të ekspozuara ndaj të ftohtit dhe shirave të dendur, ndërsa rrezikojnë të sëmuren dhe madje të ngordhin.

Beqo i bën thirrje Ministrisë së Bujqësisë dhe qytetarëve shqiptarë që ta ndihmojnë për të rindërtuar një stallë të re. Ai thotë se nuk ka mundësi financiare për ta rikonstruktuar vetë, pasi të gjitha kursimet që kishte i investoi në stallën që sipas tij kryebashkiaku ia shembi padrejtësisht.

Kam 10 vjet që sakrifikoj me kredi e borxhe për të ngritur këtë fermë. Sot ma hodhën mundin në rrugë. Më prishën stallën, siç e kam bërë edhe publike tek ju,” është shprehur ai, teksa apelon për ndihmë urgjente për të siguruar strehim për kafshët përpara se temperaturat të bien akoma më shumë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit