Polici i Komisariatit të Rinasit ka denoncuar për JOQ Albania vonesat e përsëritura në pagesat e dietave dhe gatishmërisë, duke theksuar se situata po vazhdon prej muajsh. Sipas tij, dieta e muajit shtator dhe pagesa e gatishmërisë së muajit gusht, gjatë së cilit punuan me turne 12-orëshe, nuk janë kaluar ende, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme nga drejtuesit.
Ai shprehet se deri tani nuk është zgjidhur problemi në fjalë. Denoncuesi ka vënë në dispozicion edhe vërtetimin zyrtar për muajin shtator, ku tregohet se pagesat nuk janë realizuar. Ai kërkon që problemi të bëhet publik me shpresën se Policia e Shtetit e Ilir Prodës, do të ndërhyjë për të zgjidhur situatën që po rëndon mbi policët e Komisariatit të Rinasit.
“Përshëndetje JOQ! Po ju shpreh shqetësimin që ndodh gjithmonë. Paga për dietat e Policisë, Komisariati Rinas, për muajin shtator është anashkaluar. Po ashtu edhe pagesa e gatishmërisë së muajit gusht, ku kemi punuar me turne 12-orëshe, ende nuk është kaluar. Na thonë “jo sot, jo nesër”, por në fund nuk bëhet asgjë. Ja dhe vërtetimi për muajin shtator që tregon se pagesa nuk ka kaluar. Ju lutem, anonim”, shkruan polici.
