Një denoncim i fundit ka hedhur në dritë një pamje tronditëse nga Spitali i Vlorës, ilaçet që duhet të ruhen në kushte sterile, mbahen në korridore të dëmtuara, mes mureve të rëna dhe lagështirës. Në vend të ambienteve të specializuara, barnat gjejnë strehë në hapësira që ngjajnë më shumë me depo të braktisura se me sektorë të një institucioni shëndetësor.
Kjo gjëndje katastrofike në Vlorë shpjegon fare qartë termin “spital modern”, të cilin ministrja Evis Sala e ka përmendur shpesh. Sepse nuk ka asgjë moderne te antibiotikët e ruajtur pranë suvasë së rënë, as te infuzionet që shoqërohen nga era e mykut.
Aq më shqetësuese është mungesa e reagimit zyrtar. Ku janë inspektimet? Ku janë kontrolloret që duhet të garantojnë sigurinë e barnave? Kush firmos dhe mbyll sytë, ndërsa pacientët rrezikojnë të marrin trajtim nga medikamente të ruajtura në kushte të papranueshme?
Ministrja Sala i ka borxh publikut një shpjegim. Pas premtimeve për standarde europiane, ky denoncim kërkon transparencë dhe përgjegjësi konkrete. Nuk mjafton të flitet për investime kur realiteti i raportuar tregon rrënojë.
Sepse shëndeti nuk ndërtohet mbi fjalë të bukura dhe slogane modernizimi, por mbi mure të qëndrueshme, kushte të sigurta dhe respekt për pacientët, tre gjëra që, sipas denoncievet, duken më të rrënuara se vetë suvatë e spitalit.