Në fshatin Verdovë të Pogradecit, banorët raportojnë se lumi rrezikon të dalë nga shtrati, duke kërcënuar tokat dhe banesat përreth. Ata thonë se lumi është lënë i papastruar prej kohësh dhe se situata po përkeqësohet çdo ditë.
“Në lumin e Verdovës, Pogradec. Mund të dalë nga shtrati, rrezikohen tokat dhe shtëpitë. Lumi është i papastruar fare. Publikojini pamjet. Kemi gjithë verën që ju themi se kanë ardhur ujërat e zeza deri te shtëpia”, shkruan banori i Verdovës.
Edhe në Proptisht, reshjet e dendura kanë shkaktuar probleme serioze. Të dyja urat e zonës po mbulohen nga uji, duke bërë të pamundur kalimin e automjeteve dhe duke rrezikuar edhe këmbësorët, pasi uji ka arritur deri në mes të urës. Në disa segmente, lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati.
“Përshëndetje, jeta është qejf. Ura në Proptisht, Pogradec. Të dyja urat kaluese po mbulohen. Ura për automjete, ndërsa lart është ajo për këmbësorë. Uji ka ardhur deri në mes të urës për këmbësorë. Asnjë automjet nuk mund të kalojë. Në disa vende lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati”, shkruan banori i Proptishtit.
Banorët kërkojnë reagim urgjent nga kryebashkiaku i Pogradecit e Ilir Xhakolli.