Çudirat nga vendi ynë nuk kanë të sosur. Edhe kur mendon se dimri, me ditët e tij të ftohta e të zbrazëta, do të na kursejë nga surprizat, vjen Durrësi dhe të thotë: “prit, se s’ke parë gjë akoma”.
Në një bregdet ku në këtë stinë nuk shkelin pushues për tu larë, se dielli s’ka dalë prej kohësh dhe era të këput hundën, disa durrsak , kanë filmuar një skenë që e sfidon çdo imagjinatë: kamionë të një firme ndërtimi duke u larë bukur në det, sikur Adriatiku të ishte bërë lavazh gjigant.
Pronari i firmës, me sa duket, ka zbuluar një metodë të re për të kursyer: pse të shpenzojë për larje profesionale, kur deti është aty, falas? Kush ka nevojë për rregulla, për mjedis, apo për logjikë, kur mund ta përdorësh plazhin dimëror si shërbim autodash?
Edhe pse bregu është bosh, kjo nuk e zbeh aspak absurditetin e skenës: kamionë me baltë, vajra e ndotje zbresin drejt detit njësoj si turistët e verës, vetëm se këta të fundit mbeten të paktën me këmbët e pastra. Deti, ndërkohë, mban mbi supe gjithë “kujdesin” që i dhurohet falas nga industria.
Kështu, ndërkohë që pushuesit mungojnë dhe plazhi hesht në mes të dimrit, kamionët e Durrësit shijojnë një spa personale në Adriatik, duke na kujtuar edhe një herë se në Shqipëri realiteti nuk ka nevojë për humoristë, se i bën vetë batutat.